News Item
Aftësi më të mprehta, storie më të fuqishme: gazetarët e Kosovës mësojnë përmes Programit për Media (Media Fellowship) të OSBE-së
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Mission in Kosovo
Nga prilli deri në shtator 2026, tetë gazetarë që punojnë për media në gjuhën shqipe dhe serbe në Kosovë dolën përtej mjediseve të tyre të zakonshme mediatike si pjesë e Programit “Media Fellowship” të Misionit të OSBE-së. Përmes takimeve në Prishtinë dhe vizitave studimore në Beograd, Podgoricë dhe Tiranë, ata shkëmbyen përvoja me profesionistë dhe organizata të medias.
Pjesëmarrësit u takuan me gazetarë, media dhe organizata të gazetarëve për të diskutuar çështje me rëndësi thelbësore për gazetarinë e sotme, nga qëndrueshmëria e medias, kushtet e punës dhe pavarësia e medias deri te rregullimi, inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja. Temat përfshinë gjithashtu sigurinë e gazetarëve, dezinformimin, standardet profesionale dhe mekanizmat mbështetës në dispozicion të profesionistëve të medias që përballen me kërcënime dhe sfida të tjera.
Edicioni i tetë vuri në pah gjithashtu vlerën e shkëmbimit të vazhdueshëm ndërmjet gazetarëve nga komunitete të ndryshme. Krahasimi i realiteteve në redaksi i ndihmoi pjesëmarrësit të identifikonin sfidat e përbashkëta profesionale dhe të shqyrtonin se si kolegët, që punojnë në një gjuhë tjetër, mund të ofrojnë pikëpamje shtesë për një storie. Kontaktet e krijuara gjatë programit ofrojnë një bazë për kërkimin e këshillave, shkëmbimin e informacionit dhe eksplorimin e bashkëpunimit të ardhshëm përtej vizitës studimore.
“Përmes Programit ‘Media Fellowship’, ne duam të krijojmë mundësi për gazetarët e rinj nga komunitete të ndryshme që të mësojnë nga njëri-tjetri, t’i zgjerojnë perspektivat e tyre profesionale dhe të krijojnë lidhje përtej mjedisit të tyre të drejtpërdrejtë mediatik”, tha Arlinda Osmanaj, Zyrtare e Programit në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Tetë gazetarët pjesëmarrës ishin: Arianita Hoti (KOHA), Anastasija Gjorgjeviq (Kontakt Plus Radio), Milena Jevtiq (Radio Mitrovica Sever), Shqipron Xhema (Kallxo), Sanja Kostiq (ish-Kossev), Diellza Berisha (Klan Kosova), Festim Gërguri (IKD / Betimi për Drejtësi) dhe Behar Mustafa (BIRN). I themeluar në vitin 2017, Programi “Media Fellowship” ka mbledhur së bashku 64 gazetarë të rinj dhe aspirues, si pjesë e përpjekjeve të Misionit të OSBE-së në Kosovë për të forcuar standardet profesionale dhe për të nxitur shkëmbimin ndërmjet komuniteteve.
Për grupin e tetë, programi ndërthuri të nxënit relevant për raportimin e tyre të përditshëm me qasje të drejtpërdrejtë te kolegët në Kosovë dhe në rajon, dhe një platformë të përbashkët për ta mbajtur aktiv këtë shkëmbim.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen @omikmediafellowship në Instagram.