News Item
AGK dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë vlerësojnë punën e gazetarëve me Çmimet Vjetore të Gazetarisë 2025
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Mission in Kosovo
- Fields of work:
- Liria dhe zhvillimi i medias
Prishtinë, 10 dhjetor 2025 - Misioni i OSBE-së së bashku me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe partnerë të tjerë, ndanë sot Çmimet Vjetore të Gazetarisë për vitin 2025. Kjo ngjarje vlerëson rolin thelbësor të gazetarëve në ruajtjen e vlerave demokratike, duke njohur guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre për informimin e publikut dhe forcimin e besimit në media.
Çmimet përfshijnë disa kategori - me çmimin Gazetar i vitit si kategori kryesore - dhe vënë në pah raportimet që sfidojnë dezinformimin, që u japin hapësirë zërave të margjinalizuar dhe që ndajnë tregime që bashkojnë komunitetet duke promovuar transparencën, llogaridhënien dhe të drejtat e njeriut.
“Storiet e sontme na shfaqin gazetarinë në formën e saj më të mirë, si dhe gazetarë që kanë treguar përkushtimin e tyre për të informuar publikun përgjatë pasigurive duke sfiduar dezinformimin dhe duke i ndihmuar njerëzit të kuptojnë ngjarjet që formësojnë jetët e tyre,” tha Ambasadori Gerard McGurk, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, duke i dhuruar çmimin Gazetari i Vitit Agon Sinanajt nga portali Buletini Ekonomik.
"Vlerësimi i ekselencës nxit standarde të larta, inovacion dhe raportim etik që janë jashtëzakonisht të rëndësishme në një kohë kur gazetarët vazhdojnë të përballen me kërcënime, ngacmime online, presion politik dhe sfida ekonomike," shtoi ai.
Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të AGK-së, tha: “Jemi shumë të kënaqur që edhe një herë po shpërblejmë dhe vlerësojmë, tani për të pestin vit radhazi, më të mirët midis një grupi të fortë gazetarësh profesionistë dhe të përkushtuar. Me mbi njëqind storie në konkurrencë, artikujt fitues përfshijnë hetime mbi skandalet e korrupsionit, keqpërdorimin e detyrës publike, si dhe histori frymëzuese të njerëzve të zakonshëm që bëjnë ndryshimin në komunitetet e tyre për tema dhe në fusha të ndryshme.”
“Kjo ceremoni shërben si një kujtesë për rolin thelbësor që luajnë gazetarët dhe mediat në një demokraci të re dhe të gjallë si Kosova”, shtoi Resxha.
Kategoritë tjera të çmimeve janë: Kameramani i vitit, Raportimi për fuqizimin e grave, Raportimi mbi Antigjipsizmin, Gazetaria e senzibilizuar ndaj konfliktit dhe ballafaqimi me të kaluarën, Raportimi për punëtorët migrantë, Raportimi për të drejtat e punëtorëve, Raportimi për shëndetin mendor, Raportimi për ndërtimin e paqes dhe besimit, dhe Raportimi mbi ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Misioni i OSBE-së ka mbështetur fuqishëm këto çmime gjatë pesë viteve të kaluara, duke forcuar angazhimin për lirinë e mediave, standardet e larta dhe raportimin etik. Misioni i uron përzemërsisht të gjithë fituesit dhe të nominuarit për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në gazetari.
Fituesit sipas kategorive:
Gazetari i Vitit - Agon Sinanaj, Buletini Ekonomik
Storia më e mirë informative në TV - Vlerë Mehmeti, KTV/Kohavision
Storia më e mirë në ueb - Besarta Hoti, Nacionale
Kameraman i vitit - Dituron Aliu dhe Altin Zejnaj, Betimi për Drejtësi, dhe Korab Basha, Telegrafi.com
Raportimi për fuqizimin e grave - Adelina Ahmeti, Kallxo.com
Raportimi mbi Antigjipsizmin - Besian Beha, Nacionale
Gazetaria e senzibilizuar ndaj konfliktit dhe ballafaqimi me te kaluarën - Sandra Cvetković dhe Arben Hoti, Radio Free Europe, dhe Blendina Veliqi, Betimi për Drejtësi
Raportimi për punëtorët migrantë - Afërdita Lukaj, Kanal 10 TV
Raportimi për të drejtat e punëtorëve - Egzon Dahsyla, Kallxo.com (storia e transmetuar në TV Dukagjini)
Raportimi për shëndetin mendor - Dafina Halili, Kosovo 2.0
Raportimi për ndërtimin e paqes dhe besimit - Doruntina Bylykbashi, RTV Dukagjini
Raportimi mbi ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm - Uran Haxha, Kosovo 2.0