News Item
Gratë e reja nga Prishtina dhe Beogradi eksplorojnë mundësitë për dialog dhe për një të ardhme të përbashkët në Akademinë e Dialogut të OSBE-së
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Mission in Kosovo
- Fields of work:
- Barazia gjinore, Rinia
Edicioni i 12-të i Akademisë së Dialogut të OSBE-së për Gra të Reja, i organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi, përfundoi më 17 tetor në qytetet kufitare të Nova Goricës në Slloveni dhe Gorizias në Itali.
I mbajtur nga 8 - 17 tetor, programi mblodhi 23 gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi me formime të ndryshme profesionale dhe të komuniteteve të ndryshme. Edicioni i sivjetmë u mbajt në Nova Gorica dhe Gorizia, dy qytete kufitare të shpallura së bashku Kryeqytete Evropiane të Kulturës për vitin 2025, që ofruan një mjedis për diskutime rreth dialogut, pajtimit, përballjes me të kaluarën e vështirë dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.
Programi përfshiu trajnime interaktive, sesione dialogu, ushtrime praktike dhe bashkëbisedime me të ftuar, përmes të cilave pjesëmarrëset zhvilluan më tej shkathtësitë e tyre në komunikim, negocim, ndërmjetësim dhe transformim të konflikteve. Gjatë programit u diskutua gjithashtu për identitetin, narrativat historike, rolin udhëheqës të grave dhe ndërtimin e paqes.
Pjesëmarrëset patën rastin që të takoheshin me krerët e misioneve të OSBE-së, ambasadorët Gerard McGurk dhe Marcel Peško, me ambasadorët e Irlandës, Ragnar Almqvist dhe Caroline Phelan, si dhe me aktivisten e njohur për paqe Bronagh Hinds, përvoja e së cilës në procesin e paqes në Irlandën e Veriut shërbeu si pikënisje për diskutime rreth rolit udhëheqës të grave, përfshirjes së tyre në ndërtimin e paqes dhe rëndësisë së dialogut të vazhdueshëm.
Në një diskutim të organizuar sipas formatit World Café, pjesëmarrëset patën mundësi të bashkëbisedonin me përfaqësues vendorë të kulturës dhe shoqërisë civile, ndër ta Stojan Pelko, drejtor i Kinematekës Sllovene, Daniela Klanjšček nga Qendra Kulturore “Lojze Bratuž” dhe Mateja Jančar nga “Rruga e Grave Shkrimtare”. Diskutimet u përqendruan në aspektet kulturore, historike dhe shoqërore të rajonit Nova Gorica–Gorizia, përfshirë rolin e filmit, trashëgimisë kulturore dhe nismave ndërkufitare.
Në kuadër të partneritetit me European Grouping of Territorial Cooperation GO (EGTC GO), pjesëmarrëset u njohën edhe me përpjekjet për zhvillimin e nismave të përbashkëta kulturore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar në një rajon historikisht të ndarë, si dhe me mënyrat në të cilat bashkëpunimi mund t’u ndihmojë komuniteteve t’i kapërcejnë ndasitë dhe të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët.
Pas përfundimit të Akademisë, pjesëmarrëset do të kenë mundësi t’i bashkohen Rrjetit të të Diplomuarave të Akademisë së Dialogut (DANA), një rrjet që po zgjerohet vazhdimisht dhe tashmë numëron mbi 270 gra të reja të përkushtuara për avancimin e dialogut, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit. Përmes DANA-s, ish-pjesëmarrëset vazhdojnë të marrin pjesë në nisma të përbashkëta, shkëmbime dhe aktivitete për ngritjen e kapaciteteve, duke ruajtur lidhjet e krijuara edhe pas përfundimit të Akademisë.
E organizuar çdo vit që nga viti 2015 në kuadër të Follow Us Initiative, Akademia e Dialogut pasqyron përkushtimin e përbashkët të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Misionit të OSBE-së në Serbi për forcimin e pjesëmarrjes së grave të reja në dialog, zgjidhje konfliktesh, ndërtim të paqes dhe procese të vendimmarrjes.