News Item

OSBE inicion Rrjetin për Siguri në Komunitet për veprim të përbashkët ndaj çështjeve të sigurisë në nivel lokal

Issued on:
Lëshuar nga:
OSCE Mission in Kosovo

Prishtinë, 26 nëntor 2026 - Misioni i OSBE-së në Kosovë inicioi sot Rrjetin për Siguri në Komunitet, një koncept të ri pune që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve, komunave, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera përkatëse për identifikimin dhe trajtimin e përbashkët të shqetësimeve të lidhura me sigurinë në nivel lokal.

Rrjeti do të mbështetet në mekanizmat ekzistues të sigurisë në bashkësi, veçanërisht në Këshillat Komunalë për Siguri në Bashkësi dhe Komitetet Lokale për Siguri Publike, dhe do të shërbejë si platformë për koordinim më të ngushtë dhe pjesëmarrje më të madhe të publikut.

Përmes takimeve të rregullta të përmuajshme dhe identifikimit të përbashkët të prioriteteve në fushën e sigurisë në nivel lokal, Rrjeti do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve praktike, do të qartësojë përgjegjësitë institucionale dhe do të promovojë përcjelljen e koordinuar të ecurisë së zbatimit të veprimeve të dakorduara, duke i mbajtur njëkohësisht komunitetet të informuara rreth përparimit të bërë.

“Siguria në komunitet është përgjegjësi e përbashkët dhe asnjë institucion nuk mund ta sigurojë atë i vetëm,” tha Ambasadori Gerard McGurk, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Kur dëgjohet zëri i komuniteteve dhe institucionet veprojnë së bashku, edhe ndërhyrjet relativisht të vogla mund të sjellin ndryshim të dukshëm në jetën e njerëzve.”

Nisma do të zbatohet fillimisht në Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2027, duke u mundësuar institucioneve dhe komuniteteve pjesëmarrëse ta testojnë dhe ta përsosin këtë qasje përpara se të shqyrtohet shtrirja e saj në mbarë vendin.

“Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për trajtimin e të gjitha çështjeve që lidhen me sigurinë në komunitet. Përmirësimi i sigurisë ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë dhe mbetet një nga prioritetet tona të vazhdueshme. Besojmë se një shoqëri e sigurt ndërtohet përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, identifikimit me kohë të shqetësimeve dhe zbatimit të masave konkrete për adresimin e tyre,” tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala.

Misioni i OSBE-së në Kosovë do të ofrojë ekspertizë profesionale dhe mbështetje për lehtësimin e procesit gjatë fazës pilotuese, ndërsa institucionet dhe komunitetet pjesëmarrëse do të inkurajohen të marrin përgjegjësi për zbatimin e kësaj qasjeje dhe të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për përmirësimin e sigurisë në bashkësi.


Contacts

Maid Konjhodžić

Shef i Zyrës për Çështje Politike dhe Komunikim

Misioni i OSBE-së në Kosovë

Abdyl Frashëri 12, Prishtinë
Prishtinë
Kosovë

Edita Buçaj

Zëvendës Zëdhënëse

Misioni i OSBE-së në Kosovë

Prishtinë
Kosovë