News Item
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështet dialogun për lidershipin e grave, barazinë gjinore dhe parandalimin e femicidit
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Mission in Kosovo
PRISHTINË, 19 qershor 2026 – për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështeti Shoqatën e Grave të Policisë së Kosovës (ShGPK) në organizimin e tryezës së rrumbullakët mbi barazinë gjinore, lidershipin e grave në sektorin e sigurisë dhe rolin e “Femicide Watch” si mekanizëm për parandalim, llogaridhënie dhe mësim institucional.
Ngjarja mblodhi 48 pjesëmarrëse që përfaqësojnë shoqatat profesionale të grave, institucionet e sigurisë publike, rrjetet ndërkombëtare të policimit dhe partnerë nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Holanda, Mali i Zi dhe Shqipëria. Pjesëmarrësit shkëmbyen përvojat dhe praktikat e mira të lidershipit të grave në punën policore, pengesat institucionale ndaj ngritjes në detyrë, ndjeshmërinë sociale dhe qasjet ndaj monitorimit dhe parandalimit të femicidit.
Në hapje të këtij aktiviteti, Shefi i Misionit të OSBE-së, Ambasadori Gerard McGurk, theksoi rëndësinë që institucionet e sigurisë të jenë gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme, duke vënë në dukje se “barazia gjinore nuk është vetëm çështje e grave, është çështje e sigurisë dhe qeverisjes, si dhe përgjegjësi e përbashkët.”
Diskutimet nxorën në pah rolin e rrjeteve profesionale të grave në promovimin e reformës institucionale, forcimin e llogaridhënies dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në udhëheqje dhe vendimmarrje. Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës prezantuan përpjekjet e vazhdueshme për të parandaluar dhe hetuar dhunën në familje dhe femicidin, duke i dhënë theks të veçantë qasjeve me viktimën në qendër, mekanizmave të vlerësimit të rrezikut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Vëmendje e veçantë iu kushtua “Femicide Watch”-it si kornizë parandaluese e orientuar drejt llogaridhënies. Pjesëmarrësit shikuan praktikat ndërkombëtare për shqyrtimin e rasteve të femicidit, identifikimin e boshllëqeve sistemike dhe fuqizimin e të mësuarit institucional përmes qasjeve të bazuara në prova. Diskutimet nënvizuan rëndësinë e një koordinimi më të mirë mes institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe mirëqenies sociale në reagimin ndaj dhunës me bazë gjinore.
Tryeza e rrumbullakët përfundoi me rekomandime për forcim të llogaridhënies institucionale, për avancim të lidershipit të grave, për rritje të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për eksplorim të mundësive për të integruar parimet e “Femicide Watch”-it në politikat dhe strategjitë ekzistuese.
Aktiviteti është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Misionit për të mbështetur institucionet e sigurisë që janë gjithëpërfshirëse, të përgjegjshme dhe me ndjeshmëri gjinore, si dhe për të çuar përpara agjendën Gratë, Paqja dhe Siguria në Kosovë.
Ky aktivitet është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Misionit për Shoqatën e Grave të Policisë së Kosovës, dhe mbështetjen e institucioneve të sigurisë që janë gjithëpërfshirëse, të përgjegjshme dhe me ndjeshmëri gjinore, dhe për të çuar përpara agjendën Gratë, Paqja dhe Siguria në Kosovë.