Story
Në Shënjestër: Trajnimi i trajnerëve të organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për policim më të sigurt
- Data:
- Burimi:
- OSCE Mission in Kosovo
- Fields of work:
- Policimi
- Focus area:
- Police monitoring Community policing
Njëzet e një zyrtarë të organeve ligj-zbatuese, që përfaqësojnë institucione të ndryshme të sigurisë publike, u mblodhën në poligonin e qitjes në Cernushë, një kodër pranë Mitrovicës Jugore, dhe u përgatiten për një tjetër ditë trajnimi praktik me pistoleta dhe armë me tyta të gjata.
Paul Van Hoek, Ekspert Ndërkombëtar i Kualifikuar i Armëve të Zjarrit
Nën ekspertizën e Paul Van Hoek, ekspert ndërkombëtar i kualifikuar i armëve të zjarrit i angazhuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, dhe rreshterit Kadrush Koliqi, instruktor i armëve të zjarrit në PK, zyrtarët u ndanë në role dhe morën pozicionet përkatëse. Në këtë ushtrim mëngjesit, ishte radha e Marigona Beadinit, instruktore e armëve të zjarrit në Njësinë e Operacioneve Speciale të Policisë së Kosovës (PK), të jetë roje poligoni dhe t’u japë udhëzime pjesës tjetër të kolegëve të saj për atë që pritet të bëjnë. Disa rreshtohen dhe marrin pozicionet e qitjes, ndërsa të tjerë luajnë rolin e trajnerëve dhe qëndrojnë menjëherë prapa qitësve për mbështetje dhe këshilla shtesë.
Pastaj ‘BAAM’, shkrepin armët e shkurtra, e më pas bëhet kalimi në armë të gjata dhe kontrollohet nëse gjithçka është në rregull dhe se ku kanë rënë plumbat. Beadini i mbledh zyrtarët dhe vlerëson se si shkoi gjithçka dhe nëse urdhrat u ndoqën siç duhet.
“Fokusi këtu është sigurisht te performanca e qitësve, por fokusi kryesor është te mënyra se si performojnë trajnerët dhe aftësia e trajnerit kryesor, në këtë rast Marigonës, për t’i bërë trajnerët e tjerë edhe më të mirë se sa janë tashmë,” thotë Van Hoek, ndërsa Beadini përfundon ushtrimin e saj. “Ajo u paraqit si trajner, dhe trajnerët e tjerë pas qitësve duhet të përvetësojnë mënyrën se si ajo e bëri, çfarë lloj gjuhe dhe metodologjie përdori,” shton ai.
Marigona Beadini, Instruktore e Armëve të Zjarrit në Njësinë e Operacioneve Speciale të Policisë së Kosovës
“Me teknikat dhe përvojën e tij të shkëlqyer, instruktori Paul Van Hoek ndihmoi në rritjen e kapacitetit dhe profesionalizmit tonë si trajnerë të trajnerëve. Armët janë pjesë e punës së zyrtarëve të Policisë së Kosovës, dhe ky trajnim na ka ndihmuar të përmirësohemi profesionalisht në mënyrë që çdo zyrtar policor dhe çdo institucion të standardizojë trajtimin dhe përdorimin e armëve që mbajmë, si masë parandaluese për mbrojtjen e jetës sonë, të qytetarëve dhe të pronës.”
Marigona Beadini, instruktore e armëve të zjarrit në Njësinë e Operacioneve Speciale të Policisë së Kosovës
Trajnimi dyjavor, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, është një kombinim i punës në klasë dhe ushtrimeve praktike mbi aftësitë e përdorimit të armëve të zjarrit dhe metodologjinë e trajnimit, dhe është një përgjigje ndaj nevojave të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Policisë së Kosovës. Ai gjithashtu e mbështet AKSP-në të mbajë riakreditimin e saj ndërkombëtar sipas Çmimit të Ekselencës US/IADLEST.
I përshtatur për të përmbushur nevojat e institucioneve të ndryshme të zbatimit të ligjit dhe për të standardizuar metodologjinë e trajnimit në të gjitha institucionet e sigurisë publike, fokusi i tij kryesor është përgatitja e trajnerëve të ardhshëm, të cilët do t’ua transmetojnë ekspertizën kolegëve të tyre në institucionet përkatëse. Është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme për ndërtimin e kapaciteteve që Misioni i OSBE-së i ofron Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë publike.
Ndërsa trajnimi vazhdon, rreshteri Koliqi vëzhgon nga afër gjithçka që ndodh, duke monitoruar trajnimin, duke këshilluar dhe duke vlerësuar së bashku me trajnerin Van Hoek. Ai shpjegon se synimi është trajnimi i pjesëtarëve nga të gjitha agjencitë – Policia e Kosovës, Inspektorati Policor, Shërbimi Korrektues – për të arritur një nivel më të lartë se i instruktorit. “Këta janë të gjithë profesionistë nga rajone të ndryshme që punojnë në njësitë e armëve të zjarrit të institucionit të tyre përkatës, por tani ata do të trajnojnë policinë, inspektoratin policor dhe shërbimet korrektuese – institucione që mbajnë armë në bazë të ligjit – si trajnerë të ardhshëm të trajnerëve duke përdorur të njëjtin nivel ekspertize, standarde dhe metodologjie,” tha ai.
Rreshter Kadrush Koliqi, Instruktor i Armëve të Zjarrit të Policisë së Kosovës (PK)
Ndërsa trajnimi praktik vazhdon me ushtrime të tjera, përfshirë simulimin e skenarëve të jetës reale, Van Hoek thotë se nga këndvështrimi i tij, ushtrimet e sotme u realizuan shumë mirë. “Vërej një ndryshim të madh midis fillimit të kursit javën e kaluar dhe nivelit që secili është në gjendje të demonstrojë sot. Janë bërë hapa përpara për të përmirësuar në detaje gjithçka, sepse ata tashmë ishin trajnerë me përvojë, por tani kanë informacion shtesë, aftësi shtesë për ta bërë njëri-tjetrin më të mirë, për të trajnuar një trajner tjetër dhe për ta ngritur atë në një nivel më të lartë,” shton ai.
Duke folur për rezultatin përfundimtar të trajnimit dhe zinxhirit “trajnim i trajnerëve”, Van Hoek thekson se, për ti kryer detyrat e tyre në terren, zyrtarët e policisë duhet të trajnohen në nivelin më të lartë të mundshëm dhe këtë mund ta arrijnë falë trajnerëve vërtet të mirë.
Paul Van Hoek, Ekspert Ndërkombëtar i Kualifikuar i Armëve të Zjarrit
“Trajnerët mund të performojnë më mirë nëse trajnohen nga trajnerë të tjerë, andaj gjithmonë shkon duke u përmirësuar e përsosur ndërsa baza zgjerohet gjithnjë e më shumë kështu që, në fund, nëse ka diçka në rrugë, falë gjithë këtij zinxhiri rezultati duhet të jetë edhe më i mirë se sa është tashmë,” thotë ai.
“Kjo është gjëja më e rëndësishme që të gjithë ne duam ta arrijmë – një mjedis i sigurt me zyrtarë policorë të trajnuar, të cilët do të veprojnë në mënyrë shumë të sigurt, të saktë dhe profesionale kur përballen me rrezik kërcënues për jetën.”
“Trajnimi ishte i shkëlqyer. Është një avancim për mua si instruktore e armëve të zjarrit. Do të jem në gjendje t’i trajnoj instruktorët e mi për diçka të re që mësova nga një trajner profesionist nga një vend i huaj, i cili na tregoi diçka që nuk dinim.”
Maria Milosheviq, Instruktore e Armëve të Zjarrit në Policinë e Kosovës, rajoni i Mitrovicës
Maria Milošević, Instruktore e Armëve të Zjarrit në Policinë e Kosovës, rajoni i Mitrovicës

