Skip Links

News Item

Misioni i OSBE-së nis seri të dialogut lokal dhe angazhimit me komunitetin kundër dhunës ndaj grave në Kosovë

Issued on:
Lëshuar nga:
OSCE Mission in Kosovo

OSBE ka lansuar nismën #HajdeFlasim, një seri aktivitetesh të strukturuara në të gjithë Kosovën në formë të dialogut ndërkomunal e ndërinstitucional si dhe angazhimit me komunitetin, me qëllim të identifikimit të burimit të dhunës ndaj grave dhe forcimit të reagimit ndaj saj.

Këto aktivitete do të realizohen përgjatë vitit 2026, duke kulmuar me fushatën ‘16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore’ në dhjetor, kur institucioneve relevante dhe partnerëve do t’iu prezantohen gjetjet dhe rekomandimet e nxjerra, për të mbështetur veprime konkrete dhe të matshme. Qëllimi është të ndërlidhen zërat lokalë me vendimmarrësit në nivel qendror, si dhe të mbështeten akterët lokalë në përpjekjet e tyre për të krijuar një mjedis me zero tolerancë për dhunën ndaj grave. #HajdeFlasim synon të përmirësojë edhe shkëmbimin e informacionit, zbatimin e masave parandaluese dhe mbrojtëse, si dhe disponueshmërinë dhe qasjen në shërbime cilësore për viktimat dhe të mbijetuarat nga e gjithë Kosova.

Duke ofruar ambient të hapur e konstruktiv, Misioni do t’i mbledhë së bashku përfaqësuesit e institucioneve kyçe, komunave dhe ofruesve të shërbimeve, për të shkëmbyer përvoja dhe për të forcuar bashkëpunimin për një reagim më të fuqishëm ndaj dhunës ndaj grave. Paralelisht me këtë, diskutimet gjithëpërfshirëse me komunitetet lokale, veçanërisht me organizatat e shoqërisë civile të udhëhequra nga gra dhe të rinj, do të ndjekin një qasje pjesëmarrëse për të mbledhur perspektiva dhe rekomandime nga pjesëmarrësit për shkaqet bazë të pabarazisë gjinore dhe ndikimin e saj në dhunën ndaj grave.

Me këtë qasje, Misioni promovon dialogun e vazhdueshëm, forcon bashkëpunimin me palët e interesit, si dhe mbështet hartimin e përgjigjeve praktike e të identifikuara me ndihmën e komunitetit për të gjitha format e dhunës ndaj grave. 

“Trajtimi i dhunës ndaj grave kërkon angazhim të vazhdueshëm, veprim të koordinuar dhe dëgjim aktiv të perspektivave të komunitetit,” theksoi Cornelia Taylor, Zëvendësshefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Përmes kësaj nisme, synojmë të sigurojmë që zëra të ndryshëm dëgjohen dhe reflektohen në reagimet institucionale, duke u shndërruar përfundimisht në përmirësim konkret dhe afatgjatë të parandalimit të dhunës ndaj grave dhe mbrojtjes së viktimave.”

Kjo seri ndërtohet mbi angazhimin afatgjatë të Misionit në promovimin e të drejtave të njeriut, sigurisë në komunitet dhe qeverisjes gjithëpërfshirëse, si dhe mbi bashkëpunimin e konsoliduar me institucionet në nivel qendror dhe lokal, dhe praninë në terren në mbarë Kosovën.

Misioni i OSBE-së vazhdon të jetë i përkushtuar për t’i mbështetur përpjekjet për parandalimin dhe adresimin e dhunës ndaj grave, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet, ofruesit e shërbimeve, shoqërinë civile, partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetet.

 


Contacts

Maid Konjhodžić

Shef i Zyrës për Çështje Politike dhe Komunikim

Misioni i OSBE-së në Kosovë

Abdyl Frashëri 12, Prishtinë
Prishtinë
Kosovë

Edita Buçaj

Zëvendës Zëdhënëse

Misioni i OSBE-së në Kosovë

Prishtinë
Kosovë