Rreth nesh
Misioni i OSBE-së në Kosovë është misioni më i madh i OSBE-së dhe e vetmja organizatë ndërkombëtare civile e pranishme në të gjithë Kosovën, që monitoron nga afër zhvillimet politike e institucionale, si dhe ato të drejtësisë e sigurisë. Misioni angazhohet për konsolidimin e institucioneve kyçe demokratike, promovimin e bashkërendimit ndërinstitucional në nivel qendror dhe komunal, përforcimin e rolit të shoqërisë civile në proceset demokratike dhe zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike dhe shumetnike në Kosovë.
Përmbledhje
Misioni punon në disa fusha, përfshirë:
- mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe trashëgimisë kulturore dhe fetare;
- monitorimin e gjyqësorit;
- integrimin e barazisë gjinore;
- promovimin e lirisë dhe zhvillimit të medias;
- mbështetjen e mekanizmave për politikat kundër diskriminimit;
- përmirësimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën politike dhe publike;
- parandalimin dhe luftimin e terrorizmit;
- ofrimin e trajnimeve të avancuara policore dhe mbështetjen për strategjitë kryesore të policimit dhe sigurisë; dhe
- mbështetjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit.
Shifrat
Zyrat, stafi dhe buxheti i Misionit
Zyrat
6 zyra
Misioni ka selinë në Prishtinë dhe pesë qendra tjera rajonale në gjithë Kosovën.
Stafi
440 punonjës me orar të plotë
Misioni ka 76 punonjës ndërkombëtarë dhe 364 vendorë me orar të plotë (që nga 31 dhjetor 2024). Këto shifra përfshijnë personelin e financuar nga kontributet jashtëbuxhetore.
Buxheti
17.462.600 €
Në vitin 2024, Misioni veproi në bazë të një Autorizimi të Përkohshëm Shpenzimesh bazuar në Buxhetin e tij të Unifikuar të vitit 2021, i cili kishte shumën prej 17,462,600 €. Shpenzimet jashtëbuxhetore për vitin 2024 ishin 755,872 euro.
Lidershipi
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë
Prania në terren
Selia, qendrat rajonale dhe ish-misionet e OSBE-së në terren
Misioni i OSBE-së në Kosovë, me seli në Prishtinë, ka pesë qendra që punojnë në çështje specifike për rajonet përkatëse: Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë dhe Prizren. Me ekipe që mbulojnë 38 komunat në Kosovë, ato shërbejnë si qendra për kryerjen e punës së terrenit përmes monitorimit, paralajmërimit të hershëm dhe raportimit.
Misioni po ashtu punon me Misionet tjera të OSBE-së në Evropën Juglindore për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal, dialogun dhe pajtimin.
Misionet e mëhershme të OSBE-së dhe aktivitetet e lidhura me to
OSCE Missions of Long Duration in Kosovo, Sandjak and Vojvodina
OSCE Kosovo Verification Mission / OSCE Task Force for Kosovo
Historia dhe mandati
Themeluar në vitin 1999 nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së
Mandati i Misionit në Kosovë është përcaktuar me vendimin nr. 305 të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, më 1 korrik 1999, me fokus në ndërtimin e institucioneve dhe të demokracisë; mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve; qeverisjen e mirë; barazinë gjinore; zhvillimin e medias dhe pjesëmarrjen publike; trajnimin e gjyqësorit, Policisë së Kosovës dhe nëpunësve civilë; si dhe mbështetjen për zgjedhje.
Nga 1999 deri më sot
Pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 1244, e cila bëri thirrje për krijimin e një administrate të përkohshme ndërkombëtare në Kosovë, e cila do të qëndronte derisa të përcaktohej një status i ardhshëm për Kosovën. Administratës iu dha përgjegjësia për të rivendosur sistemin gjyqësor, administratën civile, për të ndërtuar institucione demokratike dhe për të mbështetur rindërtimin dhe ringjalljen ekonomike në Kosovë. OSBE u thirr të ndihmonte në përpjekjet për ndërtimin e institucioneve, si dhe në promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Më 1 korrik 1999, Këshilli i Përhershëm i OSBE-së vendosi të themelonte Misionin e OSBE-së në Kosovë. Detyrat kryesore të tij përfshinin zhvillimin e një force policore të re dhe demokratike, organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, zhvillimin e mediave të përgjegjshme dhe profesionale, zhvillimin e institucioneve qeveritare funksionale në nivel komunal dhe qendror, zhvillimin e sektorëve politikë dhe joqeveritarë, monitorimin e sistemit gjyqësor dhe zhvillimin profesional të profesionistëve ligjorë, promovimin e vlerave demokratike dhe të të drejtave të njeriut, si dhe përmirësimin e pozitës së të gjitha komuniteteve dhe grupeve të tjera më pak të përfaqësuara, përfshirë gratë dhe të rinjtë.
Rezultatet dhe ndikimi
Misioni mbështeti themelimin e disa institucioneve kyçe, duke bashkëpunuar me to për të forcuar dhe promovuar të drejtat e njeriut dhe parimet e qeverisjes së mirë. Këto institucione janë:
- Kuvendi i Kosovës;
- Institucioni i Avokatit të Popullit;
- transmetuesi publik, Radio Televizioni i Kosovës;
- rregullatorët e medias;
- Akademia e Kosovës për Siguri Publike;
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;
- Instituti Gjyqësor i Kosovës (që nga shkurti 2017, Akademia e Drejtësisë);
- Zyra e Komisionerit të Gjuhëve; dhe
- organet komunale për mbrojtje të komuniteteve.
Dokumente
Dokumente dhe publikime zyrtare nga Misioni i OSBE-së në Kosovë


