Skip Links

Story

Pesha e profesionit: Raportimi për shëndetin mendor dhe menaxhimi i ndikimit te gazetarët

Data:
Burimi:
OSCE Mission in Kosovo

Pas një dite të gjatë në terren duke raportuar dhe sjellë në vëmendje zëra e çështje që kërkojnë vëmendje, gazetarë nga media dhe komunitete të ndryshme mblidhen në qendër të Prishtinës për të diskutuar rreth shëndetit mendor dhe ndikimit që raportimi mbi tema të ndjeshme ka tek ta. Në ritmin e vrullshëm të redaksisë dhe epokën hiper-digjitale, kjo temë rrallë diskutohet, edhe pse përjetohet thellë nga ata që jetojnë brenda këtij profesioni.

Organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ky diskutim thuase u shëndrrua në një seancë terapie në grup.

“Nëse gazetarët nuk arrijnë ta mbrojnë shëndetin e tyre mendor, kjo do të ndikojë pashmangësisht në punën e tyre”, thotë Bind Skeja, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, duke e vendosur kështu që në fillim tonin e një diskutimi të hapur e të sinqertë.

Bind Skeja, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, teksa u drejtohet pjesëmarrësve.

Gazetarët marrin veten për disa çaste teksa organizatorët u dëshirojnë mirëseardhje, por shpejt zhyten në realitetin që e njohin tepër mirë: orarin e gjatë, presionin e pandërprerë dhe ekspozimin e shpeshtë ndaj ngjarjeve tronditëse.

“Që të gjithë këtu jemi gazatarë që raportojmë për tema nga më të ndryshmet - sot për një problem me kanalizim, nesër për një vetëvrasje, e pasnesër për një ngjarje krejt tjetër. Në mediat tona nuk ka thuajse fare gazetarë të profilizuar,” thotë Adelina Ahmeti nga “Kallxo.com”. “Si mund ta ruajmë empatinë dhe respektin maksimal, sidomos ndaj viktimave, në një realitet të tillë? Dhe si t’ia bëjmë kur adrenalina pas  raportimit të trazirave me ditë të tëra bie, duke i lënë vend ankthit e depresionit?”

Adelina Ahmeti nga Kallxo.com duke diskutuar rreth sfidave me të cilat përballen gazetarët.

Raporti “Indeksi i lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve 2024” konstaton se gazetarët përballen me kushte jo të mira pune, lodhje profesionale, ngacmim dhe mbingarkesë në punë, duke nxjerrë në pah nevojën për mbrojtje më të fuqishme të të drejtave të punës, praktika më të drejta në redaksi lajmesh dhe reforma institucionale. Në mungesë të një sindikate gjithëpërfshirëse, gazetarët mbeten pa mbrojtjen e nevojshme, me AGK-në të vetmen organizatë që u del në ndihmë me asistencë juridike gazetarëve që përballen me shkelje të të drejtave të punës.

Raporti thekson se për përmirësim të lirisë së medias duhet të krijohen mekanizma për mbështetjen e shëndetit mendor të gazetarëve, të hartohen politika të ndjeshme gjinore, dhe të ketë një rol më aktiv të asociacioneve të gazetarëve pët të avokuar për mjedise pune më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse.

“Mbrojtja e mirëqenies së gazetarëve është thelbësore jo vetëm për ta si individë, por edhe për cilësinë dhe integritetin e gazetarisë në tërësi” – shprehet Pascale Roussy, Drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, duke theksuar se krijimi i hapësirës për diskutime të hapura mbi shëndetin mendor është hap kyç drejt uljes së stigmës dhe ndërtimit të një mjedisi medial më të shëndoshë e më të qëndrueshëm.

Pascale Roussy, Drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, u drejtohet pjesëmarrësve me një fjalë rasti.

Duke folur për barrën emocionale të profesionit, pjesëmarrësit përmendën edhe mungesën e mbështetjes, si dhe qëndrimin shpeshherë mos-përfillës të kolegëve më të vjetër dhe të eprorëve që këmbëngulin se gazetarët duhet të tregohen të fortë dhe ta përballojnë trysninë. “Aspekti psikologjik i punës sonë dhe ndikimi që ka mbi ne ka nisur të merret parasysh vetëm kohëve të fundit” - thotë Besarta Hoti nga “Nacionale”. 

Pikërisht për këtë arsye, forume të tilla janë të domosdoshme dhe të një rëndësie të veçantë për të, ashtu si edhe për Adelina Ahmetin. 

Në vazhdën e diskutimeve, Gresa Miftari, Psikologe Klinike në Qendrën për Informim dhe Përmirësim Social, u prezanton pjesëmarrësve disa mënyra praktike për menaxhimin e stresit dhe rraskapitjes profesionale, duke i inkurajuar që të diskutojnë hapur për këto çështje me kolegët dhe të reflektojnë lidhur me ngarkesën emocionale të lidhur me profesionin e gazetarisë.

Duke vënë theksin te përgjegjësia e gazetarëve, Skeja thekson se gjatë raportimit për tema të lidhura me shëndetin mendor duhet ruajtur me kujdes ekuilibri mes zbatimit të parimit “mos bëj dëm” nga njëra anë dhe informimit të publikut nga ana tjetër. “Shtrirja e rrjetit social sot është jashtëzakonisht e madhe, prandaj po aq peshë sa vetë çështja për të cilën raportojmë ka edhe mënyra në të cilën e raportojmë” – shprehet Skeja.

Gresa Miftari, Psikologe Klinike në Qendrën për Informim dhe Përmirësim Social, gjatë një prej seancave të diskutimit.

Për t’i mbështetur gazetarët në ruajtjen e këtij ekuilibri dhe në raportimin etik për tema të shëndetit mendor, Qendra që ai përfaqëson, në bashkëpunim me AGK-në, botoi në vitin 2025 një “Udhëzues për raportim të përgjegjshëm edhe etik mbi shëndetin mendor dhe vetëvrasjet. Veç kësaj, në kuadër të Çmimeve Vjetore për Gazetari të AGK-së, u shtua edhe një kategori e veçantë për raportimin më të mirë mbi shëndetin mendor.

Duke u mbështetur në diskutimet dhe reflektimet e dala nga ky takim, pjesëmarrësit do të hartojnë rekomandime për një botim të dytë kushtuar shëndetit mendor dhe mirëqenies së gazetarëve në redaksi, ndërsa pesë prej tyre do të shkruajnë artikuj me fokus në shëndetin mendor.

Që të gjitha këto kanë një synim të qartë – pajisjen e gazetarëve me mjete e metoda për ta përballuar prsionin e punës, për të raportuar me kujdes, përgjegjësi dhe ndjeshmëri njerëzore, si dhe për ta ndërgjegjësuar opinionin e gjerë lidhur me shëndetin mendor. 

"Shëndeti mendor është element thelbësor i një sektori medial të qëndrueshëm dhe profesional. Përmes partneritetit tonë me AGK-në, synojmë t’i forcojmë mekanizmat e mbështetjes brenda redaksive dhe t’ua lehtësojmë gazetarëve qasjen në burime që promovojnë mirëqenien dhe u ndihmojnë t’i përballojnë më mirë sfidat e profesionit”, përfundoi Roussy.

Pjesëmarrëset duke diskutuar për ndikimin që puna e tyre ka në shëndetin mendor.

InfoInfo

Mohim përgjegjësie

The OSCE bears no responsibility for the accuracy, legality or content of the external site or for the content of the links provided.

OSCE Impact

Discover more stories about how the OSCE improves lives.