Story
Fuqizimi i gjithëpërfshirjes nëpërmjet dialogut: Rrugëtimi im si praktikante në Misionin e OSBE-së në Kosovë
- Data:
- Burimi:
- OSCE Mission in Kosovo
- Fields of work:
- Të drejtat e njeriut, Rinia
- Focus area:
- Human rights and youth
Valdrina Potoku
Kur iu bashkova Misionit të OSBE-së në Kosovë si praktikantja e parë në fushën e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara, nuk fillova thjesht një praktikë, por një rrugëtim për ta zbuluar domethënien e vërtetë të përfshirjes. Puna në fushën e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara u shndërrua në një ndër përvojat më frymëzuese dhe më transformuese në zhvillimit tim profesional dhe personal. Që ditën e parë, u ndjeva se isha pjesë e një Misioni që vlerëson barazinë, të drejtat e njeriut dhe fuqinë e dialogut në ndërtimin e paqes së qëndrueshme.
Gjatë praktikës në OSBE pata mundësinë që të angazhohem në një gamë të gjerë aktivitetesh që mblodhën bashkë komunitete e institucione të ndryshme nga mbarë vendi, të tilla si takime konsultative me përfaqësues institucionalë, të komuniteteve dhe bashkësive fetare, punëtori me gra, të rinj e persona me aftësi të kufizuara, si dhe ngjarje që promovonin bashkëpunimin ndërmjet Policisë së Kosovës dhe bashkësive fetare për parandalimin e incidenteve të lidhura me sigurinë.
Secila përvojë më mësoi se gjithëpërfshirja nuk kufizohet vetëm në përfaqësim, por ngërthen pjesëmarrje aktive, empati dhe respekt të ndërsjellë. Pikërisht falë kësaj praktike tani kam fituar një pozitë në një organizatë lokale të shoqërisë civile që fokusohet në përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara, ku po vazhdoj t’i vë në zbatim njohuritë dhe mësimet e fituara gjatë praktikës në OSBE.
Valdrina, bashkë me kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, gjatë një aktiviteti të OSBE-së mbi përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara. Maj 2025.
Fuqizimi i personave me aftësi të kufizuara
Një nga aspektet më domethënëse të praktikës sime ishte angazhimi në nismat e OSBE-së për fuqizimin dhe promovimin e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara, ku pata mundësinë të kontribuoja në zbatimin e Strategjisë dhe Planit të veprimit për personat me aftësi të kufizuara të Komunës së Shtimes (2025–2028) përmes një aktiviteti që përfshinte praktika të shkurtra në drejtori të ndryshme të komunës në fjalë për pesë persona me aftësi të kufizuara, të pasuara nga një vizitë në një kompani private në Lipjan që punëson një numër të konsiderueshëm të personave me aftësi të kufizuara. Kjo nismë u dha pjesëmarrësve mundësi reale për t’u njohur me tregun e punës dhe shërbeu njëherazi për forcim të bashkëpunimit ndërmjet komunave të përkushtuara për ta avancuar gjithëpërfshirjen.
Ngjashëm, mora pjesë në një punëtori të organizuar në Obiliq në mbështetje të zbatimit të Strategjisë dhe Planit të veprimit të kësaj komune për personat me aftësi të kufizuara. Këto përvoja më mundësuan të krijoja një pasqyrë më të qartë të përgjegjësive komunale, bashkërendimit institucional dhe rëndësisë së garantimit të qasjes së barabartë në shërbime dhe mundësi për personat me aftësi të kufizuara.
Gjithashtu, mora pjesë në një punëtori të organizuar nga OSBE-ja për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të organizatave të shoqërisë civile që avokojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Gjatë këtij trajnimi fitova njohuri të vlefshme mbi mekanizmat e monitorimit, detyrimet që burojnë nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, instrumentet praktike të avokimit dhe masat e llogaridhënies, që të gjithë elementë kyç për avancimin e të drejtave dhe pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Valdrina gjatë punëtorisë së OSBE-së për forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile që avokojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Tetor 2025.
Që të gjitha këto përvoja ishin jashtëzakonisht frymëzuese dhe më shërbyen për të kuptuar se OSBE i respekton dhe promovon të drejtat e personave me aftësi të kufizuara jo vetëm duke u mundësuar këtyre të fundit që t’u dëgjohet zëri, por duke krijuar mundësi konkrete për pjesëmarrjen e tyre në jetën publike dhe punësim, si në sektorin publik ashtu edhe atë privat. Të qënit dëshmitare e motivimit, talentit dhe vullnetit të tyre më rikujtoi se përfshirje do të thotë të hapësh dyer dhe të krijosh hapësirë ku çdo person ka mundësinë të kontribuojë në mënyrë të barabartë.
Zgjerimi i perspektivës përmes dialogut
Përveç angazhimit në fushën e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara, pata fatin ta kem mentore Valbonë Dermakun, eksperte e OSBE-së për dialog ndërfetar dhe parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit (EDHRÇT). Nën udhëheqjen e saj, mësova rreth elementëve kryesorë të menaxhimit të projekteve përmes aktiviteteve që trajtonin parandalimin e EDHRÇT, komunikimin pa dhunë, dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje. Falë mbështetjes së Valbonës, mu dha mundësia që të kontribuoja në punëtori të ndryshme për fuqizimin e grave, të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuara që të kenë rol aktiv në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta dhe më të qëndrueshme.
Një nga momentet më përmbushëse të praktikës sime në OSBE ishte drejtimi dhe lehtësimi i diskutimeve mbi rolin e grave në parandalimin e EDHRÇT. Duke parë nga afër se si dialogu mund të ndërtojë ura përbashkuese që shkojnë tej vijave etnike, fetare dhe shoqërore, m’u forcua bindja se komunikimi dhe mirëkuptimi janë vërtet mjete jashtëzakonisht të fuqishme. Diskutimet ishin aq frymëzuese sa pjesëmarrësit kanë filluar tashmë organizimin e seancave pasuese me institucionet lokale për të vazhduar trajnimet mbi parandalimin e EDHRÇT.
Bashkë me pjesëmarrëse tjerë të Edicionit të 11-të të Akademisë së Dialogut, Valdrina mori pjesë në seanca të fokusuara në dialog, punë në grupe dhe diskutime të fokusuara. Tetor 2025.
Pjesë veçanërisht transformuese e rrugëtimit tim ishte pjesëmarrja në Akademinë e Dialogut për Gra të Reja nga Prishtina dhe Beogradi, e mbajtur në Gorizia/Nova Gorica (Itali/Slloveni). Ky program zhvillimi profesional më ofroi mundësinë që të mësoj rreth identitetit social, komunikimit pa dhunë, shkathtësive të negocimit dhe zgjidhjes së konflikteve. Përmes të nxënit interaktiv dhe reflektimit në grup, kuptova se si dialogu konstruktiv dhe mirëkuptimi i ndërsjellë mund të kultivojnë paqen në nivel të komuniteteve.
“Modeli i ajsbergut”, të cilin e eksploruam gjatë Akademisë, më la mbresa të thella, duke ma përkujtuar se emocionet, përvojat dhe identitetet e njerëzve janë shpesh të padukshme dhe se për dialog të mirëfilltë lipset empati, jo supozime.
Valdrina, së bashku me të rejat pjesëmarrëse nga Prishtina dhe Beogradi, gjatë një sesioni të Akademisë së 11-të të Dialogut. Tetor 2025.
Një nga aspektet më mbresëlënëse të kësaj përvoje ishte koha që kalova me pjesëmarrëset nga Beogradi. Pavarësisht prejardhjeve dhe historive tona të ndryshme, bisedat tona ishin të hapura, plot respekt e kureshtje. Shkëmbyem histori personale, tradita, humor dhe ëndrra për të ardhmen, e miqësitë e krijuara vazhdojmë t’i ruajmë edhe sot. E kuptova se gjithsecila nga ne, si të gra të reja të rajonit të Evropës Juglindore, kemi shumë më tepër të përbashkëta sesa dallime dhe se përmes dialogut dhe lidhjes njerëzore të sinqertë mund të ndërtohen ura të vërteta miqësie.
Ky ishte njëherazi udhëtimi im i parë jashtë vendit, gjë që e bëri përvojën edhe më domethënëse. Të parit e kulturave dhe mënyrave të reja të jetesës m’i zgjeroi horizontet dhe më shtoi vetëbesimin në mjedise ndërkombëtare pune. Kjo përvojë më forcoi bindjen për rëndësinë e mësimnxënies, dëgjimit dhe sfidimit të paragjykimeve nëpërmjet dialogut dhe lidhjeve të mirëfillta njerëzore.
Zëvendësshefia e Misionit të OSBE-së, Cornelia Taylor, duke i dorëzuar Valdrinës certifikatën e përfundimit me rastin e përmbylljes së Akademisë së 11-të të Dialogut. Tetor 2025.
Puna në OSBE më dha mundësinë që ta shoh nga afër ndikimin e drejtpërdrejtë që puna ekipore, dedikimi dhe gjithëpërfshirja kanë në promovimin e të drejtave të njeriut. Mësova se personat me aftësi të kufizuara nuk duhet të shihen vetëm si përfitues të ndryshimeve, por si kontribuues aktivë në ndërtim të paqes dhe zhvillim të shoqërisë.
Kjo praktikë më ka ndihmuar t’i avancoj më tej aftësitë profesionale dhe synimet në rrafshin personal. Më ka bërë të kuptoj se ndryshimi nis me empati dhe rritet përmes bashkëpunimit.
Ndërsa shikoj kah e ardhmja, vazhdoj të jem e bindur si kurrë më parë se edhe gjestet më simbolike, qofshin biseda, ide apo akt përfshirjeje, mund të krijojnë valë transformimi pozitiv.

