Story

Të luftosh pandëshkueshmërinë, ditë pas dite!

Data:
Burimi:
OSCE Mission in Kosovo

Gazetaria e pavarur është thelbësore për demokracinë. I mban përgjegjës ata që janë në pushtet, ndihmon qytetarët të marrin vendime të informuara, e formëson debatin publik dhe u jep zë perspektivave të ndryshme. 

Në peizazhin e sotëm mediatik, të shoqëruar me dezinformim, armiqësi online dhe presion në rritje, gazetaria profesionale dhe e pavarur është më e rëndësishme se kurrë. Megjithatë, gazetarët mund të përballen me rreziqe të konsiderueshme në punën e tyre. 

Raporti i vitit 2026 mbi Lirinë e Medias në Kosovë nxjerr në pah sfidat në rritje për gazetarët, përfshirë presionin, ngacmimin online, paditë e mundshme me qëllim frikësimi “SLAPP” dhe kushtet e pasigurta të punës, me rreziqe shtesë për gazetaret gra. 

Mbrojtja e gazetarëve, sigurimi i qasjes në mbështetje ligjore dhe dhënia fund e pandëshkueshmërisë për krimet kundër tyre janë thelbësore për mbrojtjen e lirisë së medias. 

Asociacionet e gazetarëve dhe konsulentët e tyre ligjorë luajnë një rol jetik në ofrimin e kësaj mbështetjeje. Që nga viti 2022, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbështetur Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) me shërbime ligjore, duke i ndihmuar gazetarët që të kenë qasje në ndihmën që u nevojitet. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t'i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve, u ulëm me Yll Zekajn, i cili aktualisht është i angazhuar nga Misioni si konsulent ligjor, për të diskutuar se si kjo konsulencë i ka ndihmuar gazetarët të kuptojnë dhe të mbrojnë të drejtat e tyre, si dhe të adresojnë sfidat me të cilat përballen. 

Si ka kontribuar roli i konsulentit ligjor në përpjekjet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve?

Zekaj: Të punosh me gazetarë nuk është kurrë e mërzitshme. Lajmet dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët nuk ndjekin ndonjë orar të caktuar. Kur një gazetar kërcënohet ose ka nevojë për këshilla ligjore urgjente, mbështetja duhet të jetë e disponueshme atëherë kur ka më shumë rëndësi, jo ditën tjetër të punës.

Kur u krijua roli i konsulentit ligjor në vitin 2022, detyrat përfshinin ofrimin e këshillave dhe ndihmës ligjore për gazetarët që përballeshin me një sërë sfidash profesionale dhe të punësimit. Me kalimin e kohës, kjo punë ka evoluar në mbështetje më të vazhdueshme, duke i ndihmuar kështu gazetarët që të kuptojnë të drejtat e tyre, të shqyrtojnë mjetet juridike në dispozicion dhe të adresojnë çështje që mund të ndikojnë në aftësinë e tyre për të punuar lirisht dhe në mënyrë të sigurt.

Konkretisht, puna ime tani përfshin ofrimin e ndihmës ligjore për gazetarët që përballen me procedura të lidhura me paditë SLAPP, kontestet e punës dhe pretendimet për shpifje, duke përfshirë raste me dëme të konsiderueshme financiare. Gjithashtu, ndihmoj gazetarët në kundështimin e vendimeve që ndikojnë në orarin programor të transmetuesit publik (RTK), i mbështes ata që përballen me padi dhe pretendime të ngritura nga individë dhe përfaqësues të lartë institucionalë, dhe shoqëroj gazetarët gjatë marrjes në pyetje nga policia në lidhje me shkeljet e dyshuara ligjore që rrjedhin nga aktivitetet e tyre të raportimit.

Ka edhe raste urgjente të sigurisë që kërkojnë veprim të menjëhershëm. Një shembull ishte rasti i Ardiana Thaçit, kur numri i saj i telefonit u shpërnda për herë të tretë përmes një grupi abuziv. Koordinimi vazhdoi pas orës 23:00, dhe rreth orës 07:00 të mëngjesit të nesërm, gazetarja, AGK dhe unë po punonim për ta raportuar rastin në Policinë e Kosovës. 

Përtej rasteve individuale, unë mbështes punën institucionale të AGK-së me Policinë e Kosovës, prokurorinë, gjykatat, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, dhe shqyrtoj aspektet ligjore të reagimeve publike dhe qëndrimeve politike të AGK-së.

Së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të AGK-së, shërbejmë si anëtarë të panelit të ekspertëve të themeluar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Paneli takohet rregullisht për të identifikuar dhe vlerësuar padi të mundshme “SLAPP”. Rastet e identifikuara si padi SLAPP regjistrohen në bazën e të dhënave të dedikuar dhe më pas i referohen Koalicionit Kundër Padive SLAPP në Evropë (CASE) për vlerësim dhe klasifikim të mëtejshëm në përputhje me standardet evropiane.

Cili ka qenë roli juaj lidhur me legjislacionin për përmirësimin e mbrojtjes ligjore për gazetarët?

Do të bëja dallimin këtu midis hartimit formal të përbashkët të legjislacionit dhe punës më të gjerë institucionale dhe politike që kemi bërë.

Puna ime me AGK-në përfshin analizën ligjore dhe angazhim mbi legjislacionin dhe politikat që lidhen me privatësinë, shpifjen, SLAPP-in, lirinë e shprehjes, qasjen në informacion, Komisionin e Pavarur të Medias, RTK-në dhe emërimet në organet publike të medias. Kam qenë pjesë e grupeve të punës të jashtme që janë marr veçanërisht me privatësinë dhe çështjet që lidhen me SLAPP-in.

Me institucione si Këshilli Gjyqësor i Kosovës, puna është përqendruar gjithashtu mjaftë shumë në mënyrën se si zbatohet legjislacioni ekzistues në praktikë dhe në përcjelljen e rasteve që përfshijnë gazetarë përmes sistemit të drejtësisë.

Për gazetarët, kjo është me rëndësi sepse mbrojtja ligjore nuk varet vetëm nga ajo që është shkruar në ligj. Kjo gjithashtu varet nëse policia, prokurorët, gjykatat dhe institucionet rregullatore e kuptojnë natyrën specifike të rasteve që lidhen me gazetarinë dhe nëse reagojnë në mënyrë të përshtatshme. Pra, një pjesë e punës sonë ka qenë mbyllja e hendekut midis legjislacionit dhe zbatimit: identifikimi i problemeve procedurale, ngritja e tyre drejtpërdrejti me institucionet dhe përmirësimi i komunikimit midis gazetarëve dhe sistemit të drejtësisë.

Bazuar në këtë përvojë, çfarë trendesh shihni në rastet që përfshijnë gazetarë dhe çka zbulojnë ato në lidhje me sfidat kryesore ndaj lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve?

Një trend i qartë është se problemet ligjore me të cilat përballen gazetarët po bëhen gjithnjë e më të larmishme.

Vazhdojmë të shohim raste të shpifjes dhe padi të mundshme kundër gazetarëve (SLAPP), ku gazetarët përballen me procedura ligjore për shkak të raportimit të tyre profesional. Këto raste mund të krijojnë presion të konsiderueshëm edhe para se të ketë një vendim përfundimtar, sepse gazetarët duhet të sigurojnë përfaqësim ligjor, t'u përgjigjen pretendimeve dhe ndonjëherë të mbeten të përfshirë në procedura gjyqësore për periudha të gjata kohore.

Yll Zekaj duke punuar në një nga çështjet në vazhdimësi.

Fushë tjetër e rëndësishme është ajo e të drejtave të punës. Situata në RTK është veçanërisht sfiduese në këtë drejtim, me gazetarët që kërkojnë këshilla të vazhdueshme mbi të drejtat e punësimit, procedurat disiplinore, çështjet që lidhen me pagat dhe mjetet juridike në dispozicion të tyre.

Gjithashtu, shohim situata gjithnjë e më komplekse që përfshijnë ngacmime online, kërcënime dhe shënjestrim të gazetarëve, ku reagimi ligjor mund të kërkojë koordinim të njëkohshëm me disa institucione, ose një rast i vetëm mund të ngrejë disa çështje ligjore njëherësh. Shënjestrimi online, për shembull, mund të përfshijë sigurinë personale, privatësinë dhe përgjegjësinë penale.

Pastaj ka çështje më të gjera që përfshijnë privatësinë, qasjen në informacion, vendimet rregullatore dhe ndërhyrjen institucionale në punën gazetareske.

Kjo na tregon se gazetarët sot nuk përballen vetëm me çështjen tradicionale të sigurisë fizike; presioni ligjor, pasiguria në punë, ngacmimi online dhe presioni institucional mbivendosen gjithnjë e më shumë.

Çfarë këshille ose mbështetje ligjore kërkojnë më shpesh gazetarët dhe si i mbështesni rastet e tyre?

Mbështetja ndryshon shumë në varësi të rastit.

Gazetarët na kontaktojnë kur pranojnë ndonjë padi, përballen me kontest pune, kërcënohen ose ngacmohen, duhet të raportojnë diçka në Polici ose prokurori, ose kanë nevojë për sqarime në lidhje me të drejtat e tyre ligjore dhe mjetet juridike në dispozicion.

Në disa situata, unë ofroj këshilla të menjëhershme ligjore: duke i shpjeguar gazetarit se çka duhet të bëjë, çfarë dokumentacioni duhet të ruajë dhe cilit institucion duhet t'i drejtohet.

Në raste të tjera, ndihmoj në përgatitjen e ankesave, parashtresave ligjore ose dokumentacionit për institucione të tilla si Inspektorati i Punës, gjykatat ose organet e zbatimit të ligjit. I përcjell rastet e pazgjidhura dhe komunikoj me institucionet përkatëse kur është e nevojshme.

Pjesë tjetër e rëndësishme e rolit tim është lidhja e gazetarëve me avokatë që mund të ofrojnë përfaqësim pro bono . Përmes rrjetit tim profesional, AGK ka lidhur gazetarët me disa avokatë të gatshëm për të ndihmuar.

Andaj, mbështetja shpesh fillon me një telefonatë ose konsultim, por varësisht nga rasti, mund të zhvillohet në hartim të ndonjë shkrese, përcjellje institucionale ose përfaqësim të plotë ligjor përmes një avokati tjetër.

Çfarë ndryshimi sjell për gazetarët qasja në ndihmë ligjore?

Për gazetarët, mendoj se gjëja më e rëndësishme është të dinë se kur ndodh diçka, ata nuk lihen vetëm për ta kuptuar sistemin juridik, ndërkohë që përballen tashmë me presionin e vetë incidentit.

Një gazetar që sapo ka pranuar një kërcënim, padi ose vendim disiplinor nga një punëdhënës nuk duhet të kalojë ditë të tëra duke kërkuar dikë që e kupton si ligjin ashtu edhe rrethanat specifike të gazetarisë dhe procedurat ligjore.

Prania e këtij mekanizmi do të thotë që ata mund të telefonojnë AGK-në dhe të marrin udhëzime ligjore shumë shpejt.

Është veçanërisht e rëndësishme për gazetarët që nuk kanë mundësi të përballojnë përfaqësimin privat ligjor. Përmes këtij shërbimi dhe rrjetit pro bono që e kemi zhvilluar, disa gazetarë kanë pasur mundësi të marrin ndihmë juridike profesionale, e cila përndryshe mund të mos kishte qenë e arritshme financiarisht për ta.

Për AGK-në, kjo do të thotë gjithashtu se ndërhyrjet e saj janë të bazuara në ligj. Kur AGK reagon publikisht, komunikon me institucionet ose ngre raste në Polici, prokurori ose gjykata, prapa këtyre veprimeve fshihet ekspertiza ligjore.

Prandaj, ndihma juridike mbron gazetarin individual, por në të njëjtën kohë forcon AGK-në si institucion.

"Angazhimi i vazhdueshëm i këshilltarit ligjor është bërë thelbësor për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), jo vetëm si burim i ekspertizës ligjore, por edhe si pjesë integrale e mekanizmit të përditshëm të reagimit të AGK-së për gazetarët që përballen me sfida ligjore, profesionale, që lidhen me punën dhe sigurinë. 

Që nga themelimi i këtij funksioni, mbështetja ligjore ka evoluar nga ndihma e jashtme e herëpashershme në shërbim të strukturuar dhe vazhdimisht të disponueshëm që forcon si mbrojtjen e gazetarëve individual ashtu edhe kapacitetin institucional të AGK-së."

Getoarbë Mulliqi, 

Drejtore ekzekutive, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Cili është mesazhi kryesor që dëshironi të jepni në lidhje me rëndësinë e ndihmës juridike për të drejtat e gazetarëve?

Ajo që mendoj se është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me këtë angazhim është vazhdimësia. Kjo nuk është më thjeshtë konsulencë ku AGK dërgon ndonjë pyetje të rastësishme dhe pranon mendim ligjor; është bërë pjesë e mekanizmit të përditshëm të mbrojtjes së AGK-së.

Njohja e rasteve, korrespondencës së mëparshme, institucioneve përkatëse dhe shpesh historisë së rastit të një gazetari individual është thelbësore. Kjo kujtesë institucionale është e rëndësishme sepse kur diçka ndodh në orën 22:00 ose 23:00, nuk kemi pse të fillojmë nga zero.

Pas më shumë se katër vitesh të ofrimit të mbështetjes për raste individuale, të angazhimit me AGK-në me institucione të ndryshme, avokimit publik dhe rishqyrtimit të procedurave të brendshme, e shoh këtë funksion si urë lidhëse midis gazetarëve, AGK-së, avokatëve dhe institucioneve të drejtësisë. 

Vlera e saj qëndron në kombinimin e ndihmës së menjëhershme për gazetarët me punën institucionale afatgjatë që synon përmirësimin e mjedisit në të cilin veprojnë gazetarët.

InfoInfo

Mohim përgjegjësie

The OSCE bears no responsibility for the accuracy, legality or content of the external site or for the content of the links provided.

OSCE Impact

Discover more stories about how the OSCE improves lives.