Story
Eksplorimi i së kaluarës, formësimi i së ardhmes: Misioni i OSBE-së sjell të rinjtë në Janjevë për të ndihmuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore
- Data:
- Burimi:
- OSCE Mission in Kosovo
- Focus area:
- Cultural heritage
Në Janjevë, çdo shtëpi e vjetër dhe çdo rrugicë e ngushtë rrëfen një histori të trashëgimisë së pasur kulturore të këtij vendbanimi dhe na kujton sa është me rëndësi ta ruajmë atë. Si një fshat në të cilin jetojnë komunitete të ndryshme, me trashëgimi të veçantë të komunitetit kroat, Janjeva pasqyron arkitekturën tradicionale dhe ndikimet e larmishme kulturore që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe trashëgimisë kulturore të komuniteteve të ndryshme në Kosovë.
Për t’u mundësuar studentëve universitarë që ta njohin më nga afër fshatin dhe të zhvillojnë shkathtësi praktike për dokumentimin e aseteve të trashëgimisë kulturore, Misioni i OSBE-së organizoi një kamp pesëditor rinor për trashëgiminë kulturore, nga 19 deri më 23 tetor 2026. Kampi u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit dhe Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, duke i bërë bashkë 11 studentë universitarë.
Studentët bisedojnë me një banor të Janjevës, duke mbledhur rrëfime të drejtpërdrejta dhe këndvështrime të banorëve vendas për t’i kuptuar më mirë historinë, traditat dhe trashëgiminë e veçantë kulturore të fshatit. 21 tetor 2026, Janjevë.
Gjatë programit, pjesëmarrësit mësuan për historinë e Janjevës, standardet ndërkombëtare të dokumentimit të trashëgimisë kulturore dhe vlerat e ndryshme që i japin rëndësi kësaj trashëgimie, përfshirë aspektet arkitekturore, estetike, historike, shoqërore dhe shpirtërore.
Duke ndërthurur njohuritë teorike me përvojën praktike, studentët patën mundësinë t’i zbatonin njohuritë e fituara përmes punës në terren, duke dokumentuar objekte të trashëgimisë kulturore në fshat. Këto aktivitete ndihmuan që të thellohen njohuritë e tyre për metodat e dokumentimit dhe të kuptohet më mirë rëndësia e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.
Pjesëmarrësit ndajnë pamje filmike të ndërtesave historike dhe rrëfime gojore të mbledhura përmes bisedave me banorët vendas, duke dokumentuar trashëgiminë arkitekturore të zonës dhe historitë e komunitetit. 21 tetor 2026, Janjevë.
Për Fatlind Kukaj, student i vitit të tretë në programin e Antropologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Prishtinës, mundësia për të bashkëbiseduar drejtpërdrejti me banorët i ofroi një këndvështrim të ri dhe të vlefshëm.
“Përmes bisedave me banorët e Janjevës, arrita të mësoj më shumë për mënyrën e tyre të jetesës dhe trashëgiminë e tyre të arkitekturës popullore. Si antropologë, ne kemi prirje që fokusin ta kemi te njerëzit, por kjo përvojë më ndihmoi t’i vlerësoj edhe ndërtesat të cilat i kanë ndërtuar dhe historitë që ato mbartin. Ishte një përvojë shumë përmbushëse të eksploroja një dimension të trashëgimisë kulturore që, nisur nga formimi im akademik, ndoshta nuk do ta kisha marrë parasysh”, u shpreh ai.
Fatlindi, së bashku me studentë të tjerë, vizitoi Kishën Katolike në Janjevë, ku u njoh nga afër me trashëgiminë fetare dhe arkitekturore të fshatit dhe mësoi më shumë për rëndësinë e saj historike. 21 tetor 2026, Janjevë.
Të lindura dhe të rritura në Mbretërinë e Bashkuar, por me lidhje personale me rajonin përmes trashëgimisë së tyre familjare, Trina Hashani dhe Jelena Sofronijevic iu bashkuan kampit me entuziazëm për të mësuar më shumë rreth historisë së fshatit dhe përvojave jetësore të banorëve të tij.
Për Trinën, e cila sapo ka diplomuar në Art dhe Ekologji në Nuova Accademia di Belle Arti në Milano, kampi ishte mundësi për ta njohur më thellë fshatin dhe për të kuptuar se si shtresat e ndryshme të historisë së tij pasqyrohen në ndërtesat dhe në jetën e komunitetit.
“Kam pasion për shtresat e ndryshme të historisë që mbartin ndërtesat. Në Kosovë, këto histori shpesh ndërthuren me njëra-tjetrën dhe të kuptuarit e mënyrës se si janë ndërtuar objektet, si dhe të kontekstit kulturor që qëndron pas tyre, mund të na zbulojë shumëçka, edhe kur jo gjithçka është dokumentuar”, shpjegoi ajo.
Ajo theksoi gjithashtu vlerën e të mësuarit së bashku me studentë të tjerë që ndajnë të njëjtin interes për trashëgiminë kulturore.
Trina dhe Jelena ndajnë pamjet gjatë vizitës, shkëmbejnë vëzhgimet e tyre dhe dokumentojnë trashëgiminë kulturore që kanë hasur gjatë vizitës. 21 tetor 2026, Janjevë.
Jelena, studente e doktoratës në Gray’s School of Art, pranë Universitetit Robert Gordon në Aberdeen të Skocisë, e pa kampin si mundësi për të ndërlidhur hulumtimin e saj akademik dhe artistik me përvojat jetësore të banorëve të Janjevës.
Duke qenë se më parë kishte hulumtuar koleksione historike fotografish në Mbretërinë e Bashkuar dhe punën e antropologeve që kishin studiuar rajonin, si Mary Edith Durham, ky kamp për të ishte mundësi për t’i thelluar hulumtimet e saj përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë me komunitetin.
“Ishte një mundësi për t’i çuar më tej hulumtimet e mia duke krijuar lidhje me njerëzit që jetojnë këtu sot, si dhe për të eksploruar më thellë trashëgiminë time familjare. E vlerësova gjithashtu mundësinë për të takuar njerëz të tjerë dhe për të mësuar së bashku me ta”, u shpreh ajo.
Zana Llonçari, arkitekte e konservimit, dhe Anita Susuri, hulumtuese në Oral History Kosovo, udhëzojnë studentët gjatë kampit, duke ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre profesionale dhe duke ofruar informacione e këndvështrime të vlefshme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. 21 tetor 2026, Janjevë.
Në kuadër të punës ditore në terren, studentët vizituan Kalanë e Novobërdës për t’i eksploruar strukturat e saj historike dhe për të mësuar më shumë rreth rëndësisë së që ka. 21 tetor 2026, Novobërdë.
Që nga viti 2018, kampet rinore të OSBE-së kanë bërë bashkë të rinj nga komunitete të ndryshme për të eksploruar, dokumentuar dhe mbrojtur trashëgiminë e larmishme kulturore në mbarë Kosovën. Duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet pjesëmarrësve me formime akademike, përvoja dhe këndvështrime të ndryshme, këto nisma promovojnë të mësuarit e ndërsjellë, dialogun ndërkulturor dhe vlerësimin më të thellë të diversitetit kulturor.
Studentët dhe ekspertët vendas mblidhen për një fotografi të përbashkët për të festuar përvojën e të mësuarit dhe punës në terren, me fokus në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë së pasur kulturore të fshatit. 22 tetor 2026, Janjevë.
Ceremonia përmbyllëse përfshiu prezantime nga studentët, të ndjekura nga fjalimet e Nora Arapi-Krasniqit, Zëvendësministre e Kulturës dhe Turizmit, dhe Kavya Rajan, Drejtoreshë në departamentin për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitetet në Misionin e OSBE-së. Studentët morën gjithashtu certifikata për pjesëmarrjen e tyre në kamp. 23 tetor 2026, Prishtinë.